Shërbimi shëndetësor në spitalet apo poliklinikat publike për personat që nuk janë të siguruar tashmë kushton më shtrenjtë.
Tarifat e reja të miratuara nga Ministra e Shëndetësisë tregojnë se vizitat fillojnë nga 500 lekë deri në 3000 lekë, kjo në varësi të mjekut specialist dhe spitalit ku merret shërbimi.
Gazmend Bejtaj: “Vizita tek mjeku i familjes sot që flasim është 1000 lekë, vizita tek mjeku specialist në poliklinikë është 1500 lekë, vizita tek mjeku specialist në spitalin e rrethit është 1500 lekë tek kardiologu, … në qoftë se shkohet atje direkt pa rekomandim. Vizita tek mjeku specialist në spitalet rajonale është 2000 lekë dhe vizitë tek mjeku specialist te spitalet universitare në QSUT, në dy maternitetet apo dhe në spitalin ushtarak në shërbimin e ortopedisë është 3000 lekë.”
Nga pagesat e vizitave të afishuara në të gjithë institucionet shëndetësore në vend nuk mund të shpëtojnë edhe të siguruarit që shmangin sistemin e referimit.
Shërbimi shëndetësor do të jetë falas vetëm për ato që në momentin e vizitës do të kenë me vetë dokumentet e nevojshme.
Gazmend Bejtaj: “Libreza shëndetësore është ai i vetmi dokument i cili vërteton që ju jeni të siguruar. Me këtë dokument, me një dokument identifikimi dhe me letrën e rekomandimit nëpër nivele, pra me tre dokumente bazë ju kaloni nëpër hapa në çdo shkallë, nëpër të gjithë instancat pa paguar para.”
Tashmë gjithçka kushton nëse nuk ke rekomandim dhe librezë shëndetësore. Edhe një injeksion i thjeshtë në poliklinikën e lagjes kushton 150 lekë.
Tarifat e reja janë përllogaritur në bazë të kostove reale të çdo shërbimi, e për pasojë në shumicat e rasteve ato janë të njëjta apo edhe më të larta se tarifat në poliklinikat private./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami