Pavarësisht vaksinimit masiv të popullsisë 40 mijë persona të prekur nga virozat gripale janë paraqitur për ndihmë mjekësore në poliklinika apo qendra spitalore vetëm gjatë muajit Janar.

Edhe pse shumë qytetarë janë sensibilizuar duke kryer vaksinën në fillim të muajit Tetor sërish virozat kanë shënuar një numër në rritje duke e krahasuar me një vit më parë.

Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik vaksina anti-grip ka qenë efikase, por numri i virozëve që janë në qarkullim janë të shumta dhe të ndryshme nga shtamet që mbron vaksina.

Dritan Ulqinaku: “Numri i personave, të cilët kanë aplikuar vaksinën, është shumë i ulët në raport me numrin e përgjithshëm të popullatës shqiptare. Padiskutim që po, vaksina është efikase. Mbron 100% kjo vaksinë kundrejt të gjitha llojeve të ndryshme që qarkullojnë? Sigurisht që jo, dmth, sepse janë një numër shumë i madh virusesh të cilët qarkullojnë. Ne nuk mund ta vërtetojmë nëse ato persona, të cilët kanë bërë vaksinën janë infektuar nga po të njëjtët shtame apo jo. Ekziston edhe një mundësi që mund të kenë kaluar me po të njëjtën shtam virusesh, por që sigurisht shkalla e simptomologjisë ka qenë shumë shumë më e lehtë.”

Përsa i përket muajve Shkurt dhe Mars pritet që numri i të prekurve nga virozat gripale të vijnë në rritje.

Specialistët shprehen se edhe aktualisht është koha për kryerjen e vaksinës pasi Marsi mund të sjellë një epidemi më të rëndë./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami