Shqipëria nuk është prekur nga virusi i derrave dhe situata në vend paraqitet tepër e qetë. Deklarata është e ministres së Shëndetësisë, Anila Godo. Dikasteri i drejtuar prej saj ka vënë në zbatim një plan të detajuar masash, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila e ka çuar në 5 nivelin e alarmit.
Anila Godo: “Masat janë marrë në maksimum, kemi krijuar një shtab në ministri, një komitet më të gjithë drejtuesit e lartë të Shëndetit Publik, të ministrisë dhe përfaqësues të OBSH-së. Mblidhemi dy herë në ditë sipas rregullave të diskutuara me OBSH-në jemi të përgatitur për të përballuar çdo lloj stadi, qoftë të 5, qoftë dhe te 6 në qoftë se do të hyjmë në stad të 6.”
Këto deklarata ministrja Godo i bëri gjatë një vizite në spitalin e Krujës, ku përuroi instalimin e dy aparaturave të reja që do t’u vijnë në ndihmë pacientëve.
Anila Godo: “Spitali ka një infrastrukturë mjaft të kënaqshme me standardet e pretenduara nga ne. Ne sot u gëzuam me inaugurimin e një pajisje radiologjie, vëretë të një niveli të lartë të një standardi evropian, me një aparat ekografie gjithashtu të një niveli mjaft të mirë.”
Ministrja e Shëndetësisë tha se tashmë në vendin tona ka filluar një reformë në sistemin shëndetësor për përmirësimin e ambienteve spitalore dhe garantoi se investimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Vetëm në këtë spital gjatë tre viteve të fundit janë investuar 1 milion dollar./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni