11 persona të tjerë i shtohen listës së të dyshuarve si të prekur nga gripi i derrit në vendin tonë.
Analizat e specializuara do të japin përgjigje nëse këta persona janë infektuar ose jo me virusin A H1N1. 8 prej të dyshuarve janë nga Tirana, 3 të tjerë nga rrethet.
Silvia Bino: “Kemi 8 raste të konfirmuara dhe 11 raste të cilat janë të mundshme, pra janë raste të cilat janë identifikuar me virusin A në laboratorin tonë dhe që natyrisht përmbushin të gjitha kriteret klinike dhe lidhjet epidemiologjike. Rastet janë të grupmoshave nga 15-44 vjeç. Janë raste të cilat kanë qëndruar në një spital në një kohë fare të shkurtër. Pjesa tjetër ka qenë që janë izoluar pranë familjes. Kanë qenë të gjitha raste të lehta.”
Zyrtarisht Shqipëria numëron 8 persona të prekur nga virusi a H1N1. Duke ju referuar rasteve të dyshuara specialistët shprehen se deri më tani kjo pandemi nuk ka prekur moshën pediatrike.
Silvia Bino: “Kjo shpërndarje dhe ky numër rastesh na tregon që ne kemi grip AH1N1, por që nuk kemi përhapje masive apo përhapje në komunitete. Vetë fakti që nuk kemi raste në moshën pediatrike, pra në moshën fëmijërore tregon që nuk kemi përhapje masive të këtij lloj virusi në vendin tonë.”
Specialistët konstatojnë se pandemia që po qarkullon të gjithë botën nuk është me aq agresive sa u shfaq në Meksikë, ku mori jetën e mbi 150 personave./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami