E ftuar këtë të enjte në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë aktivistja për të drejtat e grave, Sevim Arbana, e cila na rrëfeu dashurinë e madhe që ka për kafshët.
Arbana ka 15 mace, 13 prej tyre i mban në Qerret të Durrësit, ku kujdeset shoqja e saj. Sigurisht që aktivistja është prezente, duke shkuar shpeshherë e duke dërguar ushqime. Ajo ka një lidhje të ngushtë me macet, pasi i donte dhe kujdesej për to që fëmijë.
Sevim Arbana: Burri, duke qenë gjuetar para shumë vitesh, na bëri një premtim ne animalistëve, që nuk do vrasë më asnjë kafshë dhe kështu filloi dashuria e tij e madhe për kafshët. E imja fillon që në fëmijëri, por në fëmijëri nuk kam qenë shumë, sepse rritur në një shtëpi private, gjithë shtëpitë private kishin mace, ne kishim një mace, por motra para meje, e dyta, ishte shumë e afektuar me macet. Ajo kujdesej, por e kishim të ndaluar ta fusnim brenda në shtëpi, duke qenë në oborr, por ne kishim fatin që ndërtuam një si barake, një si shtëpi kukullash. Na e ndërtoi burri i motrës kur u martuan dhe aty rrinim e fusnim macen. Domethënë, kisha një afeksion që nga vajzëria, e rritur me macet. Më vonë, u dashurova realisht dhe ka filluar pikërisht në Qerret, ku kam vite që jetoj. Kam një shtëpi atje që në 2003-shin dhe ka qenë vera e një viti, 2004-ra, diçka e tillë, dhe unë mbylla, se shkonim vetëm në muajin gusht, mbylla për të ikur fare, kur shikoj maçokun e vogël, kotele, që e kisha mbajtur gjithë muajin, që nuk ikte dhe shikonte dritaren që të futej brenda. Atje u shokova fare, thashë: “Unë do ta marrë këtë”. Domethënë, Puçi (macja) ka qenë dashuria e parë, e madhe, e paharruar. Puçin ma rrëmbyen, nuk e di kush ma rrëmbeu. /tvklan.al