Në dëshmitë dhe faktet historike për kampet e përqendrimit, përmenden edhe fëmijë që janë dërguar atje ende pa mbushur vitin apo që kanë lindur në kamp pa mundur të njohin një jetë tjetër përtej tij.

Në Shqipëri, histori të tilla kanë ndodhur edhe në kampin e internimit në Tepelenë. Gazetarja Admirina Peçi ndan me “Shije Shtëpie” në Tv Klan disa dëshmi të fëmijëve të mbijetuar të atij kampi që dolën prej andej rreth moshës 10-12 vjeçare. Rrëfimet janë ngjethëse, e gjithë ekzistenca e tyre e përqendruar te mbijetesa dhe të mbajturit frymën gjallë me çfarëdo ushqimi të pështirë që iu vinin para.

Admirina Peçi: Këta tregonin se si ishin zhveshur nga çdo element i njerëzillëkut edhe pse ishin fëmijë, ndikonin që te fëmijët. Një fëmijë i cili si vakt kryesor të ditës ka një copë buke misri. Kur ishin foshnja, nënat nga ushqimi i keq nuk kishin gji t’u jepnin fëmijëve dhe një foshnje që rritet pa qumësht gjiri dhe e vetmja alternativë që mund t’i jepej asaj ishte buka e misrit që nëna e përtypte për ta zbutur dhe ia jepte foshnjes, pra një foshnje e tillë është vështirë të mbijetojë dhe shumica e këtyre foshnjeve vdiqën në Tepelenë, në kampin e Tepelenës por edhe ata që ishin pak më të rritur, pak më vonë atyre filloi t’u jepej një lloj supe që ishte ujë me pak fare perime dhe nëse fusnin bullgur ose diçka tjetër ishte me krimba dhe këta tregonin që kishte më shumë krimba supa e ujit se sa ushqim dhe këta fëmijë e hanin këtë supë.

Një fëmijë që rritet me këtë lloj ushqimi, me këtë lloj detyrimi për të ngrënë këtë lloj ushqimi dhe urinë e gjithkohshme dhe priste që nëna kur të vinte nga mali se atje mbanin dru gratë dhe i sillnin në kamp se i donte komanda për të gatuar e për t’u ngrohur etj, pra kur nënat vinin nga mali u sillnin ndonjë frut të egër nëse gjenin në mal dhe mes tyre ishin ca lende. Lendet e lisit është një frut që nuk hahet, është i hidhur, shumë i hidhur dhe ua sillnin fëmijëve t’i hanin këto. Një nga këto, Rudina Dema ma ka treguar, “hëngra një ditë aq shumë se isha shumë e uritur sa m’u fry barku dhe thoja vetëm ta çaj barkun dhe t’i nxjerr”, ishte në një gjendje të tillë sa nuk i treste stomaku.

Një fëmijë tjetër më tregonte se si kishte arritur të arratisej, jo të arratisej jashtë kampit por ishte një zonë në kamp ku ata mbillnin një kopsht të vogël dhe kishte ca presh. “E kisha zbuluar dhe doja të merrja një presh atje dhe shkoj natën për ta marrë atë prasin, ishte toka disi e ngrirë dhe duke e shkulur ndiej një këmbë që më ra pas qafës dhe ma zhyti kokën në atë baltën gjysmë të ngrirë dhe nuk arrita ta marr preshin. Në atë moment mendoja që nuk munda ta marr preshin”.

Pas disa vitesh, doli një urdhër i posaçëm që lejonte vetëm fëmijët të dilnin nga kampi dhe të shkonin gjetkë. Gazetarja kujton rrëfimin e Rudina Demës e cila kërkonte shtëpinë e motrës së madhe në Tiranë dhe përveç takimit, momenti më i paharrueshëm për të ishte gota e parë e qumështit në jetën e saj.

“Momenti kur unë provova një gotë qumësht për herë të parë në jetën time është i pakrahasueshëm me asgjë tjetër që më ka ndodhur më vonë”, citoi Peçi./tvklan.al