Nën këtë pikturë të vitit 1570, vepër e mjeshtërit të rilindjes italiane Tician është zbuluar një portret misterioz që ka ngjallur kureshtje tek studiuesit.

Piktura e titulluar “ja njeriu” ndodhet në qytetin qipriot të Limasolit dhe shfaq Jezu Krishtin në krah të Ponc Pilatit, i cili drejtoi fazat e fundit të gjykimit që e dënoi atë me kryqëzim. Por nën bojën e vajit të përdorur për të, një ekip ekspertësh të Institutit të Qipros zbuluan gjurmët e këtij portreti ku shfaqet një burrë i paidentifikuar me mustaqe të holla, duke qëndruar pranë një pirgu librash.

Prania e këtij portreti u zbulua duke përdorur disa mikroskopë. Duke ndjekur parimet e pikturës së Ticianit, u arrit që përmes gjurmëve, portreti të rikrijohej në një tablo më vete.

Se kujt i përket ky portret, kjo mbetet mister dhe ndoshta mund të zbulohet përmes studimeve më të thelluara të veprës së piktorit të famshëm italian.

Tv Klan