Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe komandanti i KFOR-it, gjeneral major Lorenzo D’Addario, vlerësuan se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe qëndrueshme.

Siç njofton kabineti i kryeministrit të Kosovës, Haradinaj priti të hënën komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë.

“Bashkëbiseduesit vlerësuan se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile dhe se bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve vendore të sigurisë është i shkëlqyeshëm”, thuhet në komunikatë.

Takimi i Haradinajt dhe D’Addarios u zhvillua pas një aksioni që realizoi Policia e Kosovës javën e kaluar në veri të Kosovës, duke arrestuar 19 zyrtarë policorë – në mesin e tyre: 11 serbë, katër shqiptarë dhe katër boshnjakë.

Të gjithë ata, që janë pezulluar nga detyra, dyshohen për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, krimit të organizuar, kontrabandës dhe marrje dhe dhënie të ryshfetit./REL