Ekspertët kriminalistikë të policisë së shtetit po hetojnë intensivisht mbi ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së shkuar, ku mbeti i vrarë me breshëri automatike deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, 49 vjeç, baba i tre fëmijëve. Nga ana tjetër, policia ka vënë një shpërblim prej 250 mijë eurosh për cilindo që do të japë informacione të sakta mbi autorësinë e këtij akti të rëndë kriminal.
Klodian Branko: “Lidhur me ngjarjen e rëndë që bën fjalë për vrasjen e deputetit Fatmir Xhnidi, deri në këtë fazë të hetimit janë kryer këto veprime. Këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave. Sekuestrimi i 4 bërthamave të predhave dhe 5 copë këmishave të predhave. Sekuestrimi i një pako aspirinë tabletë, sekuestrimi i qeseve plasmani, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes. Policia e shtetit fton çdo qytetar të bashkëpunojë në dhënien e informacionit, për zbardhjen e kësaj ngjaje dhe vë në dispozicion 250 mijë euro shpërblim duke ruajtur anonimatin. Për çdo informacion kontaktoni në numrat e telefonit 0634103251 dhe 0694107507.”
Xhindi u qellua para shtëpisë së tij, në këtë vend që shihni në këto pamje, sapo ka mbërritur me autoveturën private, nga persona ende të paidentifikuar, nga një distancë e afërt.
Fatmir Konja: “Rreth orës 21 e 15 minuta nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit, pasi ishte qëlluar me armë zjarri. Sipas deklaratave paraprake të familjarëve të tij, deputeti Xhindi sapo ishte kthyer nga puna në pronat e tij private në zonën e Kurjanit.”
Deri më tani policia nuk ka ende një piste zyrtare hetimore, ku u konfirmua edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, i cili mbërriti mbrëmë me urgjencë në Roskovec.
Ahmet Premçi: “Ka filluar angazhimi i strukturave të policisë së Shtetit. Në vendin e ngjarjes tashmë janë instaluar të gjithë ekspertët më të mirë dhe drejtues të latë të policisë. Ndërkohë po analizojmë të gjithë këto informacione të marra për të vazhduar punën më tej me qëllim që sa më parë të kemi të identifikuar autorin dhe për ta kapur atë. Nuk mund të përcaktojmë pista në këtë moment është akoma herët për të folur institucioni që unë drejtoj, në momentin e duhur do t’ju a bëjmë të qartë.”
Deputeti Xhindi është qëlluar me 6 plumba automatiku të tipit kallashnikov. Nuk është ende e qartë se sa persona kanë marrë pjesë në këtë krim. Ndërkohë që në kërkim të tyre janë vënë efektiva të policisë së qarkut të Fierit dhe forcat RENEA të mbërritura nga Tirana./tvklan.al
Gazetari: Julian Kasapi