Ish-kandidatja demokrate në zgjedhjet presidenciale amerikane, Hillary Clinton thotë se do të dëshironte që të merrte drejtimin e rrjetit social “Facebook”.

Gjatë një aktiviteti në Universitetin e Harvardit, Hillary u pyet se cilën kompani do të donte të drejtonte si drejtoreshë e përgjithshme. Pa hezitim ajo tha Facebook, duke theksuar se gjigandi i mediave sociale ka shumë pushtet në kontrollin e informacionit.

“Është platforma më e madhe në botë e lajmeve. Shumica e njerëzve informohen me këto lajme nga Facebook-u, qofshin të vërteta apo të rreme”,

tha Clinton.

Kjo deklaratë e saj shkaktoi reagime të ndryshme në mediat sociale. Dëshira e Clinton për të drejtuar Facebook, vjen në një kohë kur kompania po përballet me skandalin e të dhënave të përdoruesve. Themeluesi i saj, Mark Zuckerberg ka dëshmuar për këtë skandal përpara Kongresit Amerikan dhe Parlamentit Evropian.

/tvklan.al