Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, edhe në Han të Elezit ka përsëritur se ka një plan ambicioz për Kosovën duke kërkuar nga qytetarët që t’ia vazhdojnë kontratën si kryeministër edhe për një mandat katërvjeçar.
Simpatizantët që ia brohorisnin emrin e tij, Hoti i quajti “të zjarrtë” derisa tha se është mirë që të ketë më pak njerëz të tubuar për të respektuar masat kundër pandemisë, njofton Klan Kosova.
Hoti e nisi fjalimin duke numëruar sfidat e shumta që i shkaktoi pandemia dhe u ankua se gjeti shumë telashe nga qeveria ku ishte zëvendëskryeministër.
“Si shtet ne kemi specifika më ndryshe për shkak të kapaciteteve shëndetësore dhe si ekonomi, megjithatë dhe me krejt vështirësitë i kemi dalë zot thuajse secilës familje përmes pakove ekonomike, të cilat ishin më të mëdhatë në rajon”.
Por, Hoti tha se këto sfida ishin më të vogla në krahasim me detyrën e madhe që kishte, sipas tij, mbrojtjen e shtetit.
“Sfidat e pandemisë s’kanë qenë të vetmet, kryesorja ishte mbrojtja e shtetit. Besoj që ia kemi dalë t’i vendosim partneritetet me miqtë ndërkombëtarë duke larguar ndikimin rus dhe të Lindjes në Kosovë dhe regjion. Ky ka qenë qëllimi i Marrëveshjes së Washingotonit. Këtë ka mundur të bëjë vetëm LDK-ja me burrat dhe gratë e saj. LDK e ka marrë vendin me bllokadë, me sanksione, të bllokuar në të gjitha proceset. Për gjashtë muaj e kemi kthyer në normalitet. Kush kish mund me bë këtë përveç LDK-së?”.
Hoti foli edhe për bizneset duke thënë se Hani i Elezit është një portë e rëndësishme për Kosovën.
“Këta të tjerët promovojnë parulla dhe taksa progresive për bizneset, sepse bizneset i shohin si oligarkë, se si me ju ra në qafë duke iu dërguar inspektorë, por ne i shohim si mundësi për zhvillim të shtetit dhe jo si opsion për me iu ra në qafë. Inspektori kurrë s’do të shkojë te biznesi, por biznesi te Administrata Tatimore. Ky është plani ynë”./klankosova