Hygeia Group ka prezantuar projektin e spitalit të saj në Tiranë. Grupi më i madh në fushën e mjekësisë në Greqi dhe një nga më të rëndësishmit në rajon do të çelë në dhjetor të këtij viti degën e saj në Tiranë. Një godinë 7-katëshe me 220 shtretër dhe 9 salla operacioni në hyrje të kryeqytetit do të plotësojë kërkesat që ka sistemi ynë shëndetësor.
Anila Godo: “Ky spital na ofron një sërë fushash, një sërë specialitetesh, ndër ato që ne i kemi quajtur gjithmonë pika të vështira të shëndetësisë sonë. Ofrohen për herë të parë mënyra të reja, strategji, teknika të reja të terapisë siç është radioterapia me aparatura të veçanta në problemet e onkologjisë.”
Hygeia Group kërkon që në këtë strukturë që do të investohen 50 mln euro t’i shërbejë pacientëve jo vetëm nga Shqipëria, por dhe vendeve fqinje si Kosova, ish republika jugosllave e Maqedonisë dhe ajo e Malit të Zi. Synimi i këtij grupi është të jetë lider në Evropën Juglindore, Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme./tvklan.al
Gazetar: Endrit Sauku
Operator: Ben Haxhiaj