Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, i dorëzoi ambasadorit italian, Sabba D’Elia një certifikatë mirënjohje për ndihmën e dhënë të lënduarve në tragjedinë e Gërdecit, një vit më parë. Me anë të kësaj certifikate, ministria e Shëndetësisë vlerësoi gatishmërinë dhe punën e ambasadës italiane në transportimin për kurim në Itali të disa të lënduarve.
Në këtë takim u rifreskua edhe një marrëveshje me 18 projekte nënshkruar dy vjet më parë, por që deri më tani kishte mbetur në letër.
Anila Godo: “Kjo është një akt mirënjohje për impenjimin e tyre të madh dhe të thellë në organizimin e një asistence të menjëhershme të evakuimit të viktimave të tragjedisë së Gërdecit në drejtim të Italisë. Menduam që me rastin e takimit tonë sot për dorëzimin e këtij akti mirënjohje, ne të riflasim për të rigjallëruar konkretisht aktet e asaj marrëveshje që është nënshkruar që 2 vjet më parë me qeverinë italiane. Ndërkohë me kooperacionin italian kemi mjaft projekte në shumë fusha që për ne janë prioritare dhe ku në na nevojitet ndihmë.”
Ndërsa ambasadori italian u shpreh, se bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë i vazhdueshëm dhe se ndihma e shtetit italian në fushën e shëndetësisë do të përqendrohet aty ku nevojat janë më urgjente./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami