Një alpinist, i cili u zhduk për gati dy javë në New South Wales, Australi, është gjetur i gjallë, teksa bëhet e ditur se ka arritur të mbijetojë duke konsumuar manaferra.

Hadi Nazari, një student mjekësie u zhduk në Ditën e Boksit, pasi ai u largua për të bërë foto gjatë një shëtitjeje me miqtë e tij në Parkun Kombëtar Kosciuszko në rajonin e Maleve Snowy.

Qindra njerëz, duke përfshirë miqtë dhe familjen e zotit Nazari, iu bashkuan përpjekjeve të kërkimit për të gjetur 23-vjeçarin, teksa gjetja e tij u realizua nga alpinistë të tjerë të mërkurën.

Nazari pasi kishte parë alpinistët e tjerë i kishte thirrur ata dhe ju kishte thënë se kishte humbur e se kishte shumë etje. Pasi alpinistët kontaktuan shërbimet e urgjencës, Nazari u dërgua në ambientet e komandës së kërkimit me një helikopter. Ai u kontrollua nga mjekët në vendngjarje dhe u dërgua në spital.

Nazari u gjet në gjendje të mirë shëndetësore, i vetëdijshëm, i aftë për të folur dhe nuk kishte lëndime të mëdha./tvklan.al