Një ditë përpara derbit me Partizanin, Ilir Daja u prezantua si trajneri i ri i Dinamos. Tekniku 57 vjeçar prej ditësh kishte nisur punën me blutë.
Për Dajën, ky është rikthimi i tretë në klubin dinamovit. Në vitin 2008 ai i dha titullin kampion ekipit, ndërsa si futbollist e ka mbajtur veshur fanellën e bluve.
Ilir Daja, trajner i Dinamos: Unë jam si në shtëpi. Gjithmonë ka vështirësi për kohën që kam ardhur dhe përshtatja do të bëhet gradualisht, por që të marrim dhe pikët.
Daja foli edhe për debutimin kundër Partizanit, skuadër që gjithashtu ka drejtuar në sezonin 2020-2021.
Ilir Daja, trajner i Dinamos: Na pret një ndeshje e vështirë, pasi Partizani dhe Egnatia janë kandidatë për titullin. Ekip që e ka ruajtur boshtin. Koha ka qenë e limituar. Do kohën e vet që lojtarët dhe trajneri të njihen. Përtej vështirësive duhet të mos dalim pa pikë.
Pas 3 javëve të luajtura, Dinamo ka grumbulluar vetëm 3 pikë. Ekipi ka 1 fitore dhe 2 humbje, ndërsa ka shënuar 2 gola dhe është ndëshkuar 4 herë.
Klan News