Një konflikt mes adoleshentëve, i mori jetën këtë të hënë një 14-vjeçari në Tiranë. Martin Cani, u godit me thikë në afërsi të shkollës “Fan Noli” dhe nuk i mbijetoi dot plagëve.

14-vjeçari ishte pjesë e skuadrës së të rinjve të Dinamos. Klubi kryeqytetas, në një postim në rrjetet sociale, i shpreh ngushëllime familjes, ndërsa shprehen se janë thellësisht të tronditur.

Martin Cani ishte pjesë e Dinamos U-15, me të cilët këtë sezon kishte luajtur në tetë ndeshje.

“Jemi thellësisht të tronditur nga lajmi tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit tonë Martin Cani, pjesë e skuadrës U-15.

Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi FC Dinamo City i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Cani dhe i gjenden pranë në këto momente shumë të vështira. U prehsh në paqe Martin!”, shkruan klubi i Dinamos.

/tvklan.al