Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ish-kryeministri Ilir Meta është takuar me socialistët lushnjarë, pikërisht dy ditë përpara hapjes zyrtare të fushatës elektorale nga Partia Socialiste. Në Lushnje Ilir Meta i është përgjigjur dhe pyetjes nëse do të jetë apo pjesë përbërëse e PS në këtë fushatë.
Ilir Meta:- “Më lejoni të dashur socialistë, që ju ftojë të gjithëve për të marrë pjesë në votimet e 12 Tetorit dhe për të votuar për përfaqësuesit e alternativës socialiste, duke lënë mënjan kështu edhe debatet apo problemet që kanë lindur prej nesh për shkak të shpërdorimit të pushtetit nga disa nga të mandatuarit tanë, të zgjedhur apo për të emëruar në nivele të ndryshme të administratës shtetërore, për shkak të arrogancës politike, apo personalizimit të pushtetit të socialistëve që kanë shfaqur disa nga drejtuesit tanë në qendër dhe në rrethe, për shkak të indiferencës së disa prej pushtetarëve tanë qendror dhe vendor ndal militantëve dhe anëtarëve të PS, për shkak të uzurpimit të pushtetit të socialistëve nga njerëz të cilët nuk e meritojnë atë dhe s’kanë asnjë lidhje me alternativën tonë”.
Pavarësisht angazhimit për fitoren e kandidatëve të PS në zgjedhjet lokale, Ilir Meta e ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga qëndrimi i tij.
Ilir Meta:- “Unë nuk i heq asnjë presje angazhimit tim për përmirësimin e qeverisjes dhe shkëputjen e drejtimit të partisë, nga praktikat autoritariste dhe arrogante, për një përgjegjësi më të madhe ndaj fateve të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve. Ne nuk jemi partia bolshevike, ku kur thuhej Lenini nënkuptohej partia dhe kur thuhej partia nënkuptohej Lenini. Ne luftojmë që të flakim jashtë nga trupi jonë jo pjesë të anëtarësisë, por pjesën e mashtrimit dhe të hipokrizisë”.
Ish-kryeministri Meta ka përmendur në Lushnje rezultatet e kandidatëve të zgjedhur të PS në vitin 2000. Në vetëm tre vjet qeverisje lokale janë shtuar investimet në infrastrukturë shkolla, ujë të pijshëm dhe turizëm, duke pranuar këtu dhe gabimet dhe burokracitë.
Ilir Meta:- “Këto shqetësime vijnë kryesisht si pasojë e punës së dobët të segmenteve të caktuara të administratës vendore, por edhe si rezultat i indiferencës së pushtetarëve qendrorë dhe në ndonjë rast edhe si rezultat i spekulimeve për interesa personale, që bënë ndonjë individ i caktuar, i mandatuar si përfaqësues i këtij rrethi në parlament”.
Pavarësisht të metave në qeveri, se Ilir Meta bëri thirrje në Lushnje që të lihen mënjan debatet të paktën për periudhën e fushatës.
Ilir Meta:- “Meqenëse të hënën në 1 Shtator, PS fillon zyrtarisht fushatën e saj elektorale, dua t’i ftojë të gjithë socialistët të bashkohen, për të përsëritur në të gjithë Shqipërinë, fitoren e tre viteve më parë. Prandaj dua t’ju ftoj të gjithëve të luftoni për PS dhe për kandidatët e saj”./tvklan.al