Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Faisal Ghazi Hifzi.

Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes palëve, i cili dëshmohet përmes një sërë takimesh dhe vizitash të realizuara në interes të forcimit të bashkëpunimit dhe të rritjes së sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve.

Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit rikonfirmuan vullnetin dhe gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Arabisë Saudite, në fushat me interes për të dyja palët, të cilat janë përcaktuar edhe në marrëveshjen e firmosur në vitin 2023. Për vënien në zbatim të kësaj marrëveshje janë ngritur edhe grupet e punës në nivel teknik, nga të dyja palët.

Gjatë takimit, u vlerësua gatishmëria e shprehur për mbështetjen e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, në forcimin e kapaciteteve logjistike dhe profesionale përmes realizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Gjithashtu, u dakodësua realizimi i një vizite të një delegacioni të lartë të Policisë së Shtetit në Arabinë Saudite, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimin e njohurive mbi mënyrën e funksionimit të strukturave të rëndësishme të luftës kundër krimit dhe të shërbimit për qytetarët, në Policinë e Arabisë Saudite.

Drejtori i Përgjithshëm e ka falënderuar Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, për rolin e tij të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për ndëmjetësimin e tij për ofrimin e mundësive e reja për punonjësit e Policisë shqiptare, nga Mbretëria e Arabisë Saudite./tvklan.al