273 kandidatët në garë për të qenë në krye të një prej 48 komisariateve të policisë në të gjithë vendin, do të nisin procesin e intervistimit këtë të enjte. Sipas rendit alfabetik, secili prej aplikantëve që mban një nga gradat nënkomisar, komisar dhe kryekomisar do të dalë përpara Komisionit të Vlerësimit, në krye të së cilit janë 3 drejtuese në radhët e Policisë së Shtetit.
Ky proces pritet të zgjasë disa ditë për shkak të numrit të lartë të aplikantëve, në mesin e të cilëve janë dhe gra të cilat aspirojnë postin e shefit të komisariatit.
Pas përfundimit të intervistimit, secili prej tyre do të vlerësohet me pikët përkatëse, ku në listën e pretendentëve për të qenë në krye të një prej komisariateve në vend do të jenë kandiditatët me mbi 70 pikë.
Më pas do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ai që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve që do t’u besohet drejtimi i 48 komisariateve në vend. Shpallja e konkursit për postin e shefit të komisariatit, u hap më 31 tetor të këtij viti, ku fillimisht shprehën interes 290 kandidatë.
Pas verifikimit të tyre 17 aplikantë u skualifikuan nga gara për mungesë dokumentacioni ose për shkak të emërimit në pozicione të tjera në radhët e policisë.
Tv Klan