Ky përvjetor i 34-t i themelimit të Partisë Demokratike, për Sali Berishën e gjen partinë më të madhe të opozitës më të fortë se kurrë.
“Si do ishte sot ky 34-vjetor i PD-së nëse do ishim përkulur ndaj këtij grushti shteti që u krye ndaj opozitës shqiptare. Ne sot nuk do ishim këtu ose do ishim me një flamur tjetër të dorëzuar nga kundërshtari. Sigla, flamuri i vërtetë i PD do kishte humbur, do kishte mbetur pa zotërit, kalorësit e tij. Do ishim sërish të izoluar, një kryetar kukull që nuk do e zgjidhnit ju, që do na e diktonin me shantazh dhe presion”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha tha se Rama nuk ia arriti qëllimit që të qeverisë pa opozitën.
“Por tani kjo ëndërr e Edi Ramës, ka vdekur dhe ne duhet ta kallim atë. Dhe siç thotë ajo shprehja e mençur e shqiptarëve, kur hap gropën e tjetër, do biesh vetë. Fatin që përgatiti për ne, do e ketë rilindja e Edi Ramës, narkoqeveria e tij”, u shpreh Berisha.
Pas asaj që e cilëson si arritje ringritjen e PD-së, beteja e radhës është ajo shpëtimit të Shqipërisë dhe për liderin e opozitës përvjetori i 35-të duhet ta festojnë në pushtet.
“Jemi një parti që kemi drejtuar dy herë Shqipërinë. Herën e parë, kemi pasur gabimet tona, por kemi shënuar arritje epokale dhe askush sot nuk mund të mohojë. Prandaj dhe njësoj si hera e dytë ishte më e suksesshmja, hera e tretë do bëjmë të harrojmë herën e dytë. Do jetë më e mira”, u shpreh kryedemokrati.
Përveç ndërkombëtarëve Berisha theksoi se ka mbështetje të tjera hyjnore.
“Është i madhi Zot sepse vetëm me ndërhyrjen e tij, u bë e mundur që me datën 5 nëntor, perandoria marksiste e Xhorxh Sorosit të rrëzohej nga froni dhe bota e lirë të shënonte një triumf jo më pak se legjendar. Zoti e dha ndihmën e tij, tani është radha jonë. Me datën 23 dhjetor në mosbindjen civile më të fuqishme që është parë ndonjëherë”.
Ky përvjetor i themelimit të PD-së u hap me një mesazh në audio-mesazh i demokratit Ervin Salianji, i cili ndodhet në burg. Ai tha se ai tha se e nesërmja për demokratët është betejë, qëndresë dhe protestë.
Tv Klan