Austria kushtëzon negociatat mbi kërkesën e pranimit të Islandës në Bashkimin Evropian me diskutimin mbi të njëjtën çështje për Shqipërinë dhe Kroacinë.

Deklarata e fortë është e Ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger.

Michael Spindelegger: “Çelja e negociatave të Islandës me BE-në do të kushtëzohet vetëm nëse në këto negociata do të përfshihet bashkërisht edhe Kroacia dhe Shqipëria.”

Deklaratë që ka pasur jo pak jehonë në shtypin austriak.  Kështu televizioni publik austriak ORF, Agjencia Austriake e Lajmeve APA, gazetat e njohura “Die Presse”, apo “Heute”  në dy ditë i janë referuar gjatë këtij argumenti. Kushtit që duket përbën politikën e jashtme të Austrisë mbi çështje të integrimit.

Dr. Spindelegger ka thënë prere se këto tre vende Islanda, Shqipëria e Kroacia duhet të përfshihen sa më shpejt, mundësisht në negociatat e afërme të anëtarësimit me unionin.

Një tjetër deklarim i rëndësishëm mbi këtë çështje ka ardhur së fundmi dhe nga ministri i Jashtëm italian Franco Frattini. Fratini tha se BE duhet të shprehet qarte dhe me afate të sigurta se kur do të integrojë vendet e Ballkanit Perëndimor brenda gjirit të saj.

Shqipëria dorëzoi në Pragë në 28 prill aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Shqyrtimin e kërkesës zyrtarët e lartë të BE-së e kanë lidhur me përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, një proces që do ta marrë në dorë presidenca e aktuale e unionit, Suedia./tvklan.al