Numri dy i qeverisë së Shkupit Ivica Bocevski dhe ministri i jashtëm Antonio Milososki, i paraqitën Komisionit Europian ecurinë e deri tanishme ndaj 8 masave të përcaktuara për integrim.
Qeveria e Maqedonisë, tha zëvendës kryeministri Bocevski, i ka përmbushur 75 % të kushteve, masave dhe veprimeve të përcaktuara në to dhe pjesa e mbetur është duke u plotësuar nga qeveria.
Arta Tozaj: “Vlerësohet reforma gjyqësore si dhe ajo në strukturat e policisë Maqedonase. Por komisioneri Europian për zgjerimin Olli Rehn kërkoi që Maqedonia të fitojë stabilitet politik si dhe të garantojë se nuk do të ketë më probleme dhe parregullsi në zgjedhje.
Stabiliteti politik dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë thelbësore për një mënyrë jetese dhe shoqëri të vërtetë Europiane. Prandaj unë tha Rehn do të flas për kushtin e 9 përsa i përket garantimit se ato parregullsi që ndodhën në zgjedhjet e fundit, duke shtuar se ai prej 4 vitesh ka vërejtur fatkeqësisht në çdo proces zgjedhor parregullsi. Pra këto mangësi strukturore sipas tij duhet të ndreqen me masat efikase gjyqësore dhe legjislative.
Komisioneri Rehn vlerësoi se Maqedonia duhet të punojë më shumë për nënkushtet e kërkuara për çeljen e negociatave për anëtarësim. Me qëllim që raporti i radhës në nëntor të ishte më pozitiv ndaj Maqedonisë. /tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj