Gazetari: Keni deklaruar që në muajin nëntor do të ndërtoni një program për kombëtaren në këtë sezon kualifikues. Ç’punë është bërë deri tani?
Josip Kuze: “Aktualisht gjëja më e rëndësishme janë ndeshjet kualifikuese, por si trajner unë po mendoj të ndërtoj skuadrën për këto kualifikuese. Si trajner duhet t’i jap skuadrës lojë të fortë. Do të përpiqemi të zhvillojmë lojën tonë, por dhe të krijojmë atmosferë të mirë në radhët e lojtarëve, por edhe të tifozëve, pasi ne jemi të gjithë së bashku dhe të gjithë dëshirojmë të arrijmë rezultate të mira në këto ndeshje kualifikuese”.
Gazetari: Në terma konkretë nga do ta nisni ndërtimin e kësaj skuadre?
Josip Kuze: “Gjashtë muajt e fundit kam analizuar skuadrën. Kam nisur ta ndërtoj dhe të bëj disa ndryshime. Për mendimin tim kemi një skuadër të një forme deri në 80%. Sigurisht kemi disa lojtarë të rinj që duhet t’i përfshijmë. Nuk mund të them që loja jonë është e fortë, por do të bëhet e fortë duke i shtuar disa detaje. Do të jemi të gatshëm për ndeshjen e parë kualifikuese në shtator. Periudha gjashtë mujore do të na shërbejë për përgatitje. Do të zbulojmë se ç’bëjnë kundërshtarët tanë, të marrim sa më shumë informacion për ta, gjithashtu do të përpiqemi të luajmë dhe disa ndeshje miqësore”.
Gazetari: Federata Shqiptare besoi tek ju dhe zgjati kontratën. Unë dua të di cili është objektivi juaj profesional.
Josip Kuze: “Objektivat në futboll shpjegohen me numra, por unë përpiqem të sqaroj objektivin tim. Unë kam ardhur këtu në Shqipëri, jam i lumtur këtu. Objektivi im personal është që pas këtyre ndeshjeve kualifikuese, njerëzit tanë të jenë krenar për ekipin kombëtar. Do të më pëlqente që pas këtyre ndeshjeve Evropa të respektojë kombëtaren shqiptare të futbollit. Kjo është më e rëndësishmja për ndjenjat e mia këtu në Shqipëri”.
Gazetari: Është ky objektivi afatgjatë apo ka një tjetër?
Josip Kuze: “Një trajner në futboll nuk mund të ketë objektiva afatgjatë, kështu që unë mund të kem vetëm objektiva aktualë ose afatshkurtër”./tvklan.al
Gazetari: Erion Todhe