Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, vlerësoi maksimalisht Arsenalin, në prag të përballjes mes tyre në Ligën e Kampioneve.

Inzaghi deklaroi se londinezët, janë një nga katërt skuadrat favorite në Champions League. Ndër të tjera, tekniku zikaltër deklaroi se ka pasur mundësinë të shkojë dhe të drejtojë në Premier League, por ndihet i lumtur tek Interi.

“Ne do të përballemi me një nga ekipet më të mira në Evropë. Janë skuadër e shkëlqyer dhe me trajner të madh. Kanë luftuar kokë më kokë me Manchester Cityn në sezonet e fundit, për të marrë titullin në Premier League.

Sipas meje, Arsenal është një ndër favoritët në Champions, së bashku me Realin, Cityn dhe Bayern Munich. Nuk e mohoj që kam pasur mundësi të shkoj dhe të drejtoj në Premier League, por jam i lumtur tek Interi. Më intrigon dhe më pëlqen, por jam tek Interi, një nga skuadrat më të mira në Evropë. Nuk ka siguri për të ardhmen”, deklaroi Inzaghi.  

Inter-Arsenal do të luhet mbrëmjen e së mërkurës, duke nisur nga ora 21:00. /tvklan.al