Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei ka ngritur akuza ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit se qëndrojnë pas përmbysjes së Asadit dhe këmbënguli se Irani nuk do të dobësohej nga rrëzimi i regjimit të tij.
“Nuk duhet të ketë dyshim se ajo që ndodhi në Siri është rezultat i një plani të përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe izraelitëve. Të gjithë e shohin këtë, por aktorët kryesorë, organizatorët e vërtetë dhe qendra komanduese janë në Amerikë”.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Rusisë e përshkroi sigurinë e qytetarëve të saj në Siri si një “prioritet absolut”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.
Një reagim ka bërë edhe Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i cili deklaroi se shpresonte që situata në Siri të përfundonte me një marrëveshje në përputhje me kërkesat e popullit.
Ndërkaq kryeministri i ri i përkohshëm i Sirisë Mohammed al-Bashir ka bërë të ditur se synon të kthejë miliona refugjatë sirianë, të mbrojë të gjithë qytetarët dhe të ofrojë shërbime bazë, por pranoi se kjo kwrkon shumë kohë.
Rindërtimi i Sirisë do të jetë një detyrë kolosale pas një lufte që vrau qindra mijëra njerëz. Ushtria izraelite ka kryer rreth 500 sulme në Siri gjatë orëve të fundit, duke shkatërruar 15 anije dhe vende të prodhimit të armëve në disa qytete.
Portet në Latakia dhe al-Beida u bombarduan, ndërsa baza ajrore Tiyas si dhe aeroportet e Damaskut dhe Qamishli u goditën gjithashtu.
Qeveria e Netanyahut është e bindur që grupet e ndryshme islamike që tani kontrollojnë zona të mëdha të Sirisë nuk duhet të kenë mjetet për të kërcënuar Izraelin.
Nga ana tjetër forcat rebele siriane kanë marrë kontrollin e qytetit lindor të pasur me naftë, Deir al-Zour.
Klan News