Sot në mbrëmje ora 22:00 drejtpërsëdrejti në ekranin e TV Klan në emisionin më të ndjekur politik në Shqipëri është i ftuar ish-kryeministri Fatos Nano.
Pas një heshtje politike 2-vjeçare lideri historik i PS-së rikthehet përballë pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu në prag të fushatës elektorale.
Disa nga argumentet kryesore të bisedës do të përqendrohen tek qeverisja 4-vjeçare e mazhorancës së djathtë.
Raportet e tij me liderët kryesorë të opozitës, Rama dhe Meta, si dhe për planet e tij në politikë.
Interesimi mediatik për deklaratat që ish-kreu i socialistëve do të bëjë sonte në Opinion është tejet i madh.
Si e sheh Fatos Nano opozitëbërjen në Shqipëri dhe a është ajo efikase sipas tij? Cila nga partitë politike është favorite për të fituar zgjedhjet e 28 Qershorit dhe për kë do të votojë ai?
Cili është reagimi i Fatos Nanos për listat e kandidatëve për deputet në 12 qarqet elektorale? Cilat kanë qenë angazhimet e tij gjatë kohës që nuk ka qenë i pranishëm në skenën politike dhe a ka ai një strategji për t’u rikthyer aktivisht në politikë?
Këto dhe të tjera pikëpyetje mbi figurën politike dhe personale të ish kryeministrit dhe ish kryetarit të PS Fatos Nano do t’i mësoni sonte duke u bërë dhe ju pjesë e emisionit me anë të pyetjeve tuaja në Opinion./tvklan.al