Hakmarrja i mori jetën këtë të hënë 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj. Ai u vra me armë zjarri në fshatin Manati të Lezhës, nga 17-vjeçari Florian Pervathi. Për gjithë këtë ngjarje të rëndë, shkak u bë vrasja e babait të adoleshentit, nga vëllai i viktimës, Ndue Lekgjonaj.
Tragjedia në familjen Pervathi: 17-vjeçari Florian Pervathi ishte vetëm 4 vjeç kur humbi të dy prindërit në një ditë. Ngjarja tragjike ndodhi më 22 Nëntor të vitit 2009. Babai i adoleshentit, Gjon Përvathi, ishte vetëm 42-vjeç kur u vra nga Ndue Lekgjonaj po në të njëjtin fshat. Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe vëllai i Florianit, në atë kohë 14-vjeç.
Kur mori lajmin për vdekjen e të shoqit, nëna e Florianit, Martine Përvathi u vetëhelmua, duke i dhënë fund jetës. 4 fëmijë mbetën jetimë, 3 vëllezër dhe motra e tyre e vogël. Një tragjedi që fatkeqësisht, 13 vjet më vonë solli një tjetër humbje jete, atë të 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj.
Duke iu referuar të dhënave të ngjarjes së vitit 2009, konflikti mes dy familjeve kishte qenë i hershëm. Për policinë e asaj kohe, ishin të njohura konfliktet e pronësisë dhe kanosja me armë që Gjon Përvathi i kishte bërë fqinjëve, prandaj ai ishte burgosur e dënuar. Në kohën kur ai u vra, kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu./tvklan.al