Florian Pervathi nuk ka shfaqur pendesë për vrasjen e 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj, mesditën e së hënës në fshatin Manati të Lezhës. Megjithatë, burime për gazetaren e Klan News, Vera Deda thonë se 17-vjeçari është në gjendje të rënduar psikologjike.
Këtë të martë adoleshenti ka dhënë dëshminë para prokurorëve, por nuk ka ende detaje rreth asaj që ai ka deklaruar. Ajo që mësohet është se ai ka pranuar që e vrau ish-fqinjin për hakmarrje.
Kjo pasi në 2009-n vëllai i Lek Lekgjonaj, Ndue Lekgjonaj vrau me armë zjarri babain e 17-vjeçarit. E tronditur nga ngjarja, të njëjtën ditë nëna e të miturit i dha fund jetës.
4 fëmijë mbetën jetimë, 3 vëllezër dhe motra e tyre e vogël. Një tragjedi që fatkeqësisht, 13 vjet më vonë solli një tjetër humbje jete, atë të 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj. Ky i fundit kishte shkuar për t’u marrë me punë ditën e djeshme tek shtëpia e tij e vjetër kur 17-vjeçari e qëlloi për vdekje me pistoletë./tvklan.al