65-vjeçari Lek Lekgjonaj po bënte punime në shtëpinë e tij, kur u vra me armë zjarri mesditën e kësaj të hëne në fshatin Manati të Lezhës.
Autor i kësaj ngjarjeje të rëndë është 17-vjeçari Florian Pervathi. Motivet që e shtynë ishte pikërisht hakmarrja. Kjo pasi siç raporton gazetarja Vera Deda, në vitin 2009, vëllai i viktimës mësohet se kishte vrarë babain e 17-vjeçarit.
Menjëherë pasi e qëlloi 65-vjeçarin me pistoletë, adoleshenti u vetëdorëzua në polici.
Dy familjet e kishin pushuar si çështje mes tyre, por duket se djali i viktimës nuk e kishte harruar. Familjet mësohet se kishin qenë dikur fqinj me njëri-tjetrin, por pas ngjarjes së vitit 2009, Lek Lekgjonaj ishte zhvendosur me banesë. Këtë të hënë ai mësohet se kishte shkuar pikërisht tek shtëpia e vjetër, ku po merrej me punë.
Lezhë-Njoftimi i policisë
Policia e Lezhës neutralizon dhe vë në pranga në kohë rekord, një 17-vjeçar që kreu vrasjen e 65-vjeçarit, para pak minutash, në fshatin Manati të Lezhës.
Sekuestrohet dhe arma e krimit.
Shërbimet e DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Manati kishte të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Falë reagimit profesional e të menjëhershëm është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e 17-vjecarit F. P.
17-vjeçari, rreth orës 12:00, në rrethana ende të paqarta dyshohet se vrau me armë zjarri shtetasin L. L., 65 vjeç, banues në Manati, dyshohet për motive hakmarrjeje.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe armën zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 17-vjeçari kreu krimin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.