Mori hakun e babait që iu vra kur ishte 4 vjeç
Kishin kaluar vetëm pak minuta nga mesdita kur Lek Lekgjonaj, 65 vjeç, u qëllua për vdekje në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Manati të Lezhës. Autori është një minoren, Florian Pervathi, 17 vjeç.
Lekgjonaj ishte kthyer në banesën e tij, të cilën e kishte braktisur shumë vite më parë, për të krasitur hardhitë dhe për të korrur barërat e këqij. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por mësohet se menjëherë pas krimit i riu i është drejtuar vetë komisariatit të policisë dhe është dorëzuar së bashku me armën, kjo pistoletë me mulli që shihni në këtë foto.
Policia thotë se ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrje, pasi vëllai i viktimës Ndue Lekgjonaj ka vrarë në vitin 2009, babain e të miturit, Gjon Pervathin.
Ngjarja e asaj kohe kishte ndodhur për motive të dobëta, pasi Gjon Pervathi i kishte zënë rrugën me makinë. Florian Pervathi, atëherë vetëm 4 vjeç, u rrit jetim, pasi po atë ditë humbi edhe nënën e tij, e cila u vetëhelmua sapo mori vesh vrasjen e bashkëshortit.
Tv Klan