Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e disa rrugëve brenda blloqeve të banimit në lagjen e Laprakës, në Tiranë. Janë 13 rrugë të tilla, me gjatësi prej 7 kilometrash, me një vlerë prej 3 milionë eurosh të financuara nga kooperacioni italian. Ambasadori italian, Saba D’Elia, i pranishëm në ceremoninë e rastit, rikonfimoi mbështetjen e qeverisë së vendit të tij në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri.

Saba D’Elia: “Më vjen mire që ne kontribuojmë në përmirësimin e rrjetit rrugor këtu në Shqipëri nëpërmjet investimeve të koperacionit italian. Një shembull i këtij inaugurimi ka qenë dhe rruga Lushnje-Fier,rruga Shkodër-Hani i Hotit në kufi me Malin e Zi si dhe fillimi i tenderit për ndërtimin e portit të Vlorës.”

Kryeministri Berisha, falënderoi ambasadorin italian për këto investime dhe për mbështetjen që Italia fqinje po jep për zhvillimin e Shqipërisë,. Më tej falënderimet e shefit të qeverisë u adresuan dhe te banoret e Laprakës për besimin qe treguan për mazhorancen në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai premtoi shtimin e investimeve dhe projekteve te reja dhe në këtë kontekst shprehu bindjen se kjo mazhorancë do të jetë fituese edhe në zgjedhjet e vitit 2013.

Sali Berisha: “ Këto 4 vite ne do vazhdojmë të festojmë fitoren në çdo fshat dhe qytet të këtij vendi me projekte të reja dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë gjer ditën e fitores së ardhshme në 2013. Është e qartë si drita e diellit se ky vend ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë, se ky vend ka nevojë për rrugë dhe ne po i ndërtojmë, ka nevojë për shkolla dhe ne po i ndërtojmë. Ka nevojë për ujësjellës, kanalizime dhe ne po i ndërtojmë, ka nevojë për shërbime dhe ne po i ngremë ato. Ka nevojë për turizëm dhe vjen gjithnjë në rritje.”

Kreu i qeverise u kërkoi banorëve të kësaj zone, por edhe të gjithë shqiptarëve, që të bëhen pjese e projektit evropian, i cili do ta ndryshojë Shqipërinë ndjeshëm në këto katër vjet.

Sali Berisha: “ Këto 4 vite Shqipëria do të ndryshojë më shpjet se kurrë në tërë historinë e saj.

Shqipëria do të shkojë në qershorin e vitit 2013, si një vend i sukseseve të mëdha, si një vend i ndryshimeve më të thella, si një vend i përgatitur për verdiktin përfundimtar nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për integrimin e saj të plotë.”/tvklan.al