Pas finalizimit të punimeve në rrugën Lushnje-Fier, kooperacioni italian do të nisë punimet për segmentin rrugor Shkodër-Hani Hotit, pjesë e aksit kryesor Veri-Jug, që nis në Shkodër e përfundon në Vlorë. Në prani të Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, dhe ambasadorit italian Saba D’Elia, u nënshkrua kontrata për çeljen e këtij projekti të financuar nga qeveria italiane e ajo shqiptare, me vlerë prej 30 milion eurosh, e të fituar në një tender të hapur ndërkombëtar nga shoqëritë italiane Salini e Matarreze, në shumën prej 25 milion eurosh.

Sokol Olldashi: “Me fillimin e punimeve në këtë aks, pra Shkodër-Hani i Hotit ne bëjmë lidhjen e segmentit të fundit midis një qyteti të rëndësishëm të Shqipërisë sikurse është Shkodra dhe një pike kufitare Hani Hotit, pasi rrugët e tjera që të çojnë drejt kufijve janë tashmë të rikonstruktuara. Ky segment, pra Shkodër-Hani i Hotit i jep plotësinë në të gjitha dimensionet aksit rrugorë veri-jug. Shpresojmë që në fund të këtij projekti ne do të kemi një rrugë në kualitetin më të mirë të mundshme, pra nga 16 në 10.5 dhe parashikon dhe përmirësime në unazën e Shkodrës, në zonën e Bajzës dhe në zonën e Koplikut. Është një projekt shumë i mirë që respekton qoftë zonat urbane qoftë qëllimin e vërtetë të këtij aksi që është transportin.”

Saba D’Elia: “Kontributi i kooperacionit Italian, në zhvillimin e Shqipërisë, kryesisht në infrastrukture, këto 16 vjet, arrin me këtë projekt në 1 miliard euro. Në sajë të punës që do të kryejnë dy shoqëritë do të shtojnë edhe një hallkë të re në zhvillimin e infrastrukturës rrugore shqiptare. Sot festojmë kontratën e nisjes së punimeve në këtë segment rrugor, një nyje thelbësore për zhvillimin e Veriut të vendit, me sigurinë që dy shoqëritë italiane do angazhohen për punime të një cilësie të mirë”.

Ky investim parashikon realizimin e Unazës lindore në qytetin e Shkodrës, për të mundësuar kalimin e autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të lartë, shtimin e një korsie për biçikleta dhe vend parkimi, zgjerim të rrugës Shkodër-Hani i Hotit, si dhe punime rikualifikimi urban, rrugor dhe të sistemit të ujërave të zeza e të bardha në zonat Koplik, Ivanaj, Bajzë./tvklan.al