Shumë vende drejt hapjes graduale
Teksa plani për lehtësimin e masave gjatë periudhës pranverë–verë është i qartë, qeveria italiane tashmë po planifikon rihapjen e shkollave në Shtator.
Nga mësimi online nuk do të hiqet dorë. Mësimi do të zhvillohet në dy grupe për çdo klasë. Çdo javë gjysma e nxënësve do ta zhvillojnë mësimin në klasat e tyre, ndërsa gjysma tjetër do të marrë pjesë online. Kjo formë mësimi do të zhvillohet me rotacion.
Ndërsa krerët e bashkive po shqyrtojnë propozimet për rihapjen e transportit publik. Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala ka parashtruar idenë transporti i udhëtarëve të reduktohet me 75% për çdo orë.
Nëse në kushte normale, metronë e përdorin 6 mijë persona çdo orë, me rikthimin e transportit publik, çdo orë do të lejohen deri 1500 udhëtarë ose 25% e totalit. Sala u bëri thirrje qytetarëve dhe grupeve të interesit të propozojnë forma të reja të transportit publik, në mënyrë që askush të mos privohet të shkojë në punë.
Berberët u rikthyen në punë në Izrael, por me masa të rrepta sigurie, duke përdorur doreza, maska për sytë, gojën dhe hundën, e duke ushtruar kontrolle për të gjithë klientët.
Në Spanjë, pas 6 javësh mbyllur në shtëpi, fëmijët u lejuan të merrnin ajër dhe të shihnin dritën e diellit. Në Kaliforni, qindra qytetarë u dyndën plazheve pavarësisht këshillave të autoriteteve për të qëndruar nëpër shtëpi.
Ndërsa në Korenë e Jugut, kishat e mëdha janë rihapur duke u krijuar mundësi çifteve të reja të kryejnë ceremonitë e martesave. Megjithatë të gjithë vizitorët u nënshtrohen kontrolleve dhe testeve strikte, teksa ruajnë distancën sociale.
Tv Klan