Ushtria izraelite bombardoi qendrën e Bejrutit, duke vrarë 22 banorë, por pa arritur objektivin, një komandant të Hezbollahut. Goditja e disa bazave të paqeruajtësve të OKB-së shkaktoi protestën e Romës ndaj Tel Avivit.

Në këto pamje shfaqen rrënojat e disa pallateve të banimit në qendër të kryeqytetit libanez që u rrafshuan nga bombat e avionëve izraelitë gjatë natës. 22 persona humbën jetën dhe 117 të tjerë u plagosën, në sulmin që kishte në shënjestër Uafik Safan, një eksponent të lartë të Hezbollahut, i cili mendohet të ketë shpëtuar.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se bombardimet izraelite kundër Hezbollahut nuk po kursejnë tashmë asnjë cep të Bejrutit dhe kjo ka shtuar se tepërmi ankthin tek banorët e kryeqytetit libanez, të cilët po bashkëjetojnë me frikën se e nesërmja mund të mos i gjejë.

Këtë të Premte, ushtria izraelite goditi një tjetër bazë të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në jug të Libanit, duke plagosur dy efektivë të kaskave blu. Në këtë bazë, ndodhen edhe trupa italiane, baza të tjera të të cilëve u sulmuan edhe të Enjten. Ministri italian i mbrojtjes Guido Kroseto protestoi ashpër, ndërsa ushtria izraelite tha se do të niste menjëherë hetimet për rastet.

Tv Klan