Kjo e dielë do të rikthejë sërish në aksion skuadrat e Kategorisë Superiore. Pas lumit të golave shënuar në mesjavë, edhe java e 5-të e elitës së futbollit shqiptar premton spektakël. Gjithçka merr jetë në stadiumin e Rrogozhinës, aty ku kampionët në fuqi të vendit, Egnatia sfidon Bylisin. Një takim që do të luhet në orën 16:00, e ku vendosen në fushë skuadra të mesit të tabelës.
Egnatia vjen pas asaj humbje me Vllazninë dhe kërkon të rikthehet kështu tek fitorja pikërisht ndaj ballshiotëve. Në krahun tjetër, Bylis nuk humbet në tre takimet e fundit, ku së fundmi ndali në barazim Tiranën.
Të dielën në mbrëmje do të zhvillohet edhe një tjetër takim. Në stadiumin “Niko Dovana” Teuta do të përballet me Vllazninë në orën 19:00, hendek prej 1 pikë mes dy skuadrave që kanë synim kualifikimin në Kupat e Europës në fund të sezonit. E hëna vjen me tre sfida tepër interesante. Laçi – Partizani është sfida e parë e ditës, që do të zhvillohet në stadiumin e Kurbinit në orën 16:00.
Dy takimet e fundit të javës së pestë do të luhen në orën 19:00. Tirana do të presë në stadiumin “Air Albania” Elbasanin, ndërsa në “Elbasan Arena” do të luhet ndeshja Dinamo City – Skënderbeu.
Pas 4 javëve të para, renditja kryesohet nga Elbasani që ka 7 pikë, kjo ndikuar edhe nga golavarazhi më i mirë kundrejt rivalëve të Partizanit, Vllaznisë dhe Egnatias. Deri më tani, skuadrat që nuk kanë shënuar ende fitoren e parë janë Tirana dhe Laçi.
Klan News