Ish-ligjvënësi republikan Matt Gaetz tërhoqi të enjten emrin e tij nga gara si prokuror i përgjithshëm i ShBA-së i propozuar nga presidenti i zgjedhur Donald Trump. Vetë ai tha se procesi i konfirmimit në Senat është shndërruar në një shpërqendrim për ekipin e Trumpit.
Me një mesazh në rrjetin “X”, Gaetz njoftoi se pati takime të shkëlqyera një ditë më parë me senatorët dhe shprehu vlerësimin për mendimet e tyre dhe mbështetjen.
Ai shton se tani është bërë qartë se konfirmimi u shndërrua në mënyrë të padrejtë në një shpërqëndrim për punën e ekipit të tranzicionit të administratës së ardhshme Trump-Vance.
Gaetz mendon se nuk duhet humbur më shumë kohë dhe për këtë arsye tërhoqi emrin e tij nga shqyrtimi për postin e prokurorit të përgjithshëm, që në Shtetet e Bashkuara ka funksionet e ministrit të Drejtësisë.
Të mërkurën në mbrëmje Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve nuk gjeti konsensusin nëse duhet të publikonte ose jo raportin hetimor për ish-ligjvënësin Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual dhe përdorim droge.
Në një reagim të tij, presidenti i zgjedhur Donald Trump tha “Matt ka një të ardhme të mrekullueshme”.
Disa senatorë republikanë shprehën dyshime për emërimin e tij, megjithëse askush nuk tha publikisht se do të votonte kundër kandidaturës së tij.
Klan News