Njeriu i parë më i vjetër në botë ‘ka zbuluar’ fytyrën e tij. Më në fund, teknologjia ka arritur të ndërtojë fytyrën e paraardhësit 300.000 vjeçar duke bërë të mundur të shohim portretin e tij.
Eksperti brazilian Cicero Moraes përdori skanerin 3D të kafkës për të ‘ringjallur’ njeriun e lashtë.

Fosilet vijnë nga mbetjet në Jebel Irhoud, Marok dhe provon se Homo sapiens evoloi 100.000 vite më herët nga sa mendohej. Moraes shpjegoi edhe procesin e rindërtimit të fytyrës:
“Fillimisht, skanova kafkën në 3D duke përdorur të dhënat e kërkuesve të Institutit Max Planck. Më pas bëra përafrimin e fytyrës që konsiston në kombinimin e disa elementëve si deformimi anatomik”.
Moraes tha se zgjodhi që kafkës t’i ngjiste një fytyrë burri duke u bazuar te tiparet ”e forta dhe mashkullore” të kafkës. Të dhënat nga njeriu modern u përdorën për të parashikuar trashësinë e indeve të buta, projeksionin e hundës dhe tipareve të tjera.

“Rezultati final është ndërthurja e të gjitha këtyre që gjeneron dy lloje imazhesh, një objektiv me më shumë elementë teknikë, pa flokë dhe në ngjyrë gri. Tjetri është artistik, me ngjyrim të flokëve dhe lëkurës”.

Kafka vetë është kompozim i disa fosileve për të cilën Moraes shprehet se është “e mahnitshme dhe koherente nga aspekti anatomik”.
Instituti Max Planck tha se mbetjet e Jebel Irhoud kishin “fytyrë moderne dhe dhëmbë, por kafkë më të madhe dhe në dukje, më arkaike”. Sipas Institutit, ndryshimet gjenetike që prekin lidhjen, organizimin dhe zhvillimin e trurit, kanë ndryshuar kafkat në formën që kemi sot.

Fosilet e Jebel Irhoud u zbuluan fillimisht në vitet 1960 dhe u menduan se ishin 40.000 vjeçare përpara se shkencëtarët të riktheheshin dhe përmes teknikave të reja, u përcaktua se kockat datonin 300.000 vite më parë./tvklan.al