Tërmeti iu mori gjithçka
Lëkundjet e forta sizmike që kanë goditur vendin tonë, më 21 Shtator, por kryesisht në tërmetin e fuqishëm të 26 Nëntorit, kanë sjellë pasoja të mëdha në banesa. Janë me mijëra familja pa një strehë, pasi shtëpitë e tyre janë shpallur të pabanueshme. Në këto kushte është edhe familja Zela në fshatin Vishnje, pjesë e njësisë Vaqarr. Prej tre javësh ata jetojnë në këtë çadër.
Edhe pse ky fshat është vetëm 10 kilometra larg Tiranës, realiteti që hasim është krejt ndryshe. E zonja e shtëpisë, Qamile Zela tregon mes lotëve sakrificat për rritjen e fëmijëve. Dy vajzat e mëdha ajo i ka të martuara. Ndërsa pesë fëmijët e tjerë jetojnë me ta në këtë çadër.
Përpos tërmetit, i cili u ka dëmtuar shtëpinë, mjerimi në këtë familje është ulur këmbëkryq. Të ardhurat e vetme janë ndihma ekonomike dhe ato çfarë mund të sigurojnë nga shitja e qumështit.
Ndërkohë që vështirësi kanë edhe për të dërguar fëmijët në shkollë, pasi minimalisht paguajnë çdo ditë 2 mijë lekë të vjetra për transportin e tre fëmijëve. Apeli i vetëm që ata kanë në shtetin, por edhe bashkinë është rindërtimi i shtëpisë.
Largohemi 5 kilometra më shumë, drejtë njësisë së Baldushkut, ku përpos vilave luksoze ka me dhjetëra familje që tërmeti i 26 Nëntorit i ka lënë pa një çati mbi kokë.
Ky është Mersin Shabani, 77 vjeç. Ashtu si e gjithë zona e Baldushkut që njihet për rritjen e gjelave të detit, edhe ai ka
disa gjela dhe shpreson që me ardhjen e festave të fundvitit të sigurojë ndonjë të ardhur më shumë.
Në këtë shtëpi tashmë të rrënuar, ai jeton me gruan, e cila prej një vitit ka probleme shëndetësore dhe vajzën. Ndërkohë që një prej dhomave ia kanë dhënë djalit, pasi është i martuar dhe ka dy fëmijë. Por prej datës 26 Nëntor jetojnë të gjithë në një çadër.
Këto banesa janë me pasaportë që nga tërmeti i 21 Shtatorit. Pas interesimit tonë pranë pushtetit vendor na është deklaruar se pritet që të futen në listën e banesave që do të rindërtohen, por nuk kanë dhënë asnjë afat se kur mund të nisi puna.
Klan Plus