Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, shpjegon për TV Klan, strategjinë e lëvizjes “Nano ik”. Në fokus të saj nuk do të jenë vetëm protestat dhe Parlamenti, Topalli shpjegon se strukturat e PD, do të njohin ndryshime të mendimit më elitar, për të qenë sa më afër probleme sociale të njerëzve.

Në këtë mënyrë nënkryetarja e PD, rikujton idenë e hedhur kohë më parë, për zgjerimin e PD, me anë të intelektualëve të shoqërisë civile.

Jozefina Topalli: “Lëvizja është shumë më tepër se sa një protestë, dy protesta, apo udhëtimi i këtyre protestave në qytetet kryesore të Shqipërisë. Lëvizja nënkupton një përqendrim dhe fokusim të debatit politik në parlament, lëvizja nënkupton ngritje të strukturave të tjera brenda PD, në përqendrimin dhe të mendimit elitar, në mënyrë që ne shqiptarët të tregojmë që qeverisja e nesërme e jona do të jetë serioze dhe nuk do të jetë një qeverisje biznesesh familjare dhe show”.

Duket se opozita nuk merakoset nga indiferenca e kryeministrit Fatos Nano, ndaj protestave qytetare.

Jozefina Topalli: “Lëvizjen tonë nuk e kemi lidhur në fakt me trimërinë e zotit Nano, për hir të së vërtetës, sa herë ka pasur një lëvizje, ai ka ikur. Ka pasur një ftesë zyrtare nga PD, që të paktën një rast të qëndrojë në zyrën e tij, kur shqiptarët protestojnë përball godinës së tij”.

Protestat e opozitës do të vijojnë pasditen e së premtes në Durrës dhe një ditë më pas, fundjava për liderët opozitar, do të spostohet për drekë në protestën e Vlorës./tvklan.al