Çështja e mosmarrëveshjeve me Greqinë, ku përfshihet edhe përcaktimi i kufijve detarë mes dy vendeve, është bërë pjesë edhe e konferencës për shtyp mes kreut të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe Kryeministrit Edi Rama.

Problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen sa me shpejt të jetë e mundur. Këtu kemi një dritare mundësish të hapura, pra duhet ta përdorim hapjen nga të dyja palët, për t’u lejuar këtyre vendeve të bien dakord të zgjidhin këtë problem që nuk është ende një konflikt. Jam i bindur se vendet e rajonit, që kanë konflikte territoriale do të përpiqen t’i kapërcejnë ato para anëtarësimit në BE. Këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit, zgjidhja e tyre duhet të bëhet para anëtarësimit. Pra dua t’i inkurajoj ato si Shqipërinë dhe Greqinë, të bien dakord dhe ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave kur të vijë momenti. Për pjesën tjetër dua t’ju them se BE nuk i përket vetëm anëtarëve, traktatet evropiane e thonë qartë dhe në mënyrë të pa-ekuivok që çdo vend ka prirje të bëhet anëtar i BE me kusht që të plotësojë kriteret e anëtarësimit. Dhe kur Shqipëria të ketë plotësuar të gjithë proceset, anëtarësimi do të jetë i kryer. Ky është një proces i bazuar në meritat e secilit vend, e secilit shtet”, tha Juncker.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama tha se ka besim që ky proces do të përmbyllet me sukses. Ai sqaroi se sipas tij, Presidenti nuk e ka refuzuar kërkesën për dhënien e plotfuqishmërisë, por ka kërkuar sqarime, të cilat tashmë i ka në tryezë.

Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por Presidenti ka kërkuar me të drejtën që i jep Kushtetuta disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar për marrjen e autorizimit. Sqarimet e shkruara janë dhënë, janë në tryezën e Presidentit dhe unë ju ftoj të gjithëve që ta shikojmë këtë proces me të gjithë seriozitetin që meriton dhe le të gjejmë në shumë nga çështjet e tjera arsye për të bërë lajm, por jo në këtë proces. Kam besim dhe nuk kam arsye pse të mos kem, që Presidenti do të bëjë detyrën dhe ne do të kemi të gjithë kohën e nevojshme për të përmbushur këtë objektiv strategjik të zgjidhjes së të gjitha problemeve të mbartura me fqinjin tonë jugor. Janë probleme që shtrihen në 70 vjet, të nënshkrimit të një marrëveshje të re, që për ne duhet të jetë e bazuar fund e krye tek vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese. Kështu që nëse më pyesni sot, a do të zgjidhet me sukses gjithë ky proces? Unë ju them: Po do të zgjidhet me sukses dhe do të jetë një tjetër arsye e fortë që miqtë tanë në BE të vlerësojnë Shqipërinë si një shtet serioz si një qeveri që ka të gjithë maturinë për të trajtuar edhe çështje kaq delikate”, tha Rama.

Tirana është ndalesa e dytë e turit të Juncker në Ballkanin Perëndimor që synon nxitjen e proceseve integruese të rajonit drejt Bashkimit Europian.

Ai u prit në Kryeministri, pasi reshjet e shiut pamundësuan pritjen e tij me nderime ushtarake para zyrës së kreut të qeverisë, Edi Rama. Juncker vlerësoi reformat e Shqipërisë, por tha se nuk mund të jepte një datë për çeljen e negociatave.  

Konstatoj me kënaqësi që Shqipëria nuk pushon se akumuluari progrese sepse ka marrë shumë reforma strukturore në shumë fusha, të cilat janë impresionuese. Në qoftë se këto vazhdojnë në këtë rrugë reformash, kjo do t’i lejojë Shqipërisë që KE të rekomandojë hapjen e negociatave. Nuk kam ardhur në Tiranë të bëj premtime boshe, është shumë e lehtë që të them në këtë apo atë datë do fillojmë negociatat, por nuk është ky qëllimi im… Dal nga takimi me kryeministrin duke rikonfirmuar se vendi i natyrshëm i Shqipërisë është në BE

”, tha Juncker.

Ndërsa Rama tha se Shqipëria i ka kryer detyrat dhe pret hapjen e një kapitulli të ri në rrugën drejt BE-së.

Ne e kemi thënë, unë dua ta përsëris, besojmë fort se e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër nga ana e Komisionit Europian dhe shpresojmë se edhe vendet anëtare do t’i përgjigjen pozitivisht në unanimitet kërkesës së KE-së, pasi i kemi kryer me përpikmëri detyrat e Shtëpisë për këtë fazë dhe çelja e negociatave përbën për ne çeljen e një kapitulli të ri në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”

, tha Rama.

/tvklan.al