Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka dalë në një konferencë për shtyp pas kaosit dhe trazirave që po ndodhin në Uashington, ku protestuesit kanë hyrë brenda Kongresit amerikan.

Joe Biden tha se ngjarjet që po ndodhin janë në kufijtë e kryengritjes dhe kjo situatë duhet të marrë fund.

“Kjo nuk është një protestë, është një kryengritje. Donald Trump të dalë tani në televizion dhe të kërkojë që t’i jepet fund rrethimit të Capitol. Më lejoni të jem i qartë, skenat e kaosit në Kongres nuk përfaqësojnë atë që jemi ne. Ajo që po shohim është një numër i vogël ekstremistësh të përkushtuar ndaj paligjshmërisë. Kjo nuk është mosdakordësi, është çrregullim. Është në kufijtë e kryengritjes dhe duhet të marrë fund tani”, ka thënë Biden.

Biden u bëri thirrje protestuesve që të tërhiqen, sikurse u shpreh, “dhe të lejojnë që demokracia e vendit të shkojë përpara”. /tvklan.al