3 persona përfunduan në prangat e policisë në Tiranë, si pjesë e një grupi që vidhnin kasaforta të bizneseve. Të arrestuarit janë E. M., 33 vjeç, F. Sh. alias F. L., 37 vjeç dhe E. Ç. alias E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë (F. L. dhe E. Ç., me precedentë penalë në fushën e vjedhjes dhe vjedhjes me armë).
Mëngjesin e së hënës personat në fjalë vodhën një kasafortë me para në një poliklinikë. Por jo vetëm. Ata dolën sërish në “aksion” mëngjesin e kësaj të marte, duke vjedhur një tjetër kasafortë.
“Arrestimi i tyre u bë pasi, po sot rreth orës 04:05 të mëngjesit, në vendin e quajtur Rruga e Kavajës, në ambientet e Poliklinikës “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, kanë vjedhur një kasafortë në të cilin ndodhej vlera monetare rreth 13 milion lekë të vjetra“, thotë policia në njoftimin e saj për mediat.
Të arrestuarve iu sekuestrua një makinë Mercedes Benz, me të cilin qarkullonin për të kryer vjedhjet, 1 DVR, një shumë parash, 1 kasafortë dhe 4 telefona celularë.
Policia thotë se të njëjtët persona dyshohen si autorë të vjedhjes së një klinike mjekësore në Rrugën e Dibrës, ngjarje e ndodhur më 20 Janar të këtij vitit. Në këtë rast ata arritën të vidhnin një shumë prej 413 000 lekësh dhe tentuan të vidhnin edhe kasafortën e kësaj klinike.
Ata dyshohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh të kasafortave në biznese, në qytetin e Tiranës dhe në qarqe të tjera. Puna për dokumentimin me prova ligjore të rasteve të dyshuara se janë kryer nga ky grup kriminal vijon./tvklan.al