Eduart Kësolla, 30 vjeç, është autori i dyshuari i vrasjes së Prekë Tonajt mbrëmjen e së dielës në Shkodër. Pa kaluar ende 24 orë, policia ka mundur ta identifikojë dhe ta verë në pranga të riun. Në një njoftim për mediat, autoritetet saktësojnë pistën që u dyshua që në fillim: motiv për vrasjen është pikërisht gjakmarrja.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në ambientet e një lokali, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, 47-vjeçari Prekë Tonaj, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje”.
47-vjeçari Tonaj ndodhej i ulur lokal, kur 30-vjeçari lëshoi breshëri plumbash mbi të. Viktima ishte punonjës i Ujësjellës Kanalizime dhe ishte baba i 4 fëmijëve.
Hetimet për vrasjen e Tonajt u përqendruan menjëherë tek gjakmarrja. Kjo pasi në vitin 2011 ai bashkë me babain e tij tentuan të kryenin një vrasje, por ngjarja u parandalua.
Ata donin të merrnin hakun e vëllait të viktimës i cili ishte vrarë vite më parë. Po ashtu Prekë Tonajt i kishte vdekur edhe një vëlla tjetër në burg.
Gazetarja Emi Kalaja bën të ditur se historia e gjakmarrjes mes dy familjeve nis që në kohën e komunizmit.
30-vjeçari Eduart Kësolla është djali i Pal Kësollës. Gjatë kohës së komunizmit, ky i fundit vrau në burg në burg Nikollë Tonajn. Vrasja tjetër do të ndodhte në vitin 1996. Fisi Tonaj do të vriste pikërisht Pal Kësollën. Mbrëmjen e djeshme, duket se djali i tij mori gjakun e të atit./tvklan.al