Në fshat nuk e kanë “luksin” të qëndrojnë mbyllur
Në qytete u deshën patrullimet e sforcuara të policisë dhe ushtrisë, për t’i detyruar njerëzit të mbyllen në shtëpi. Madje të qëndrosh në shtëpi, sot konsiderohet një akt qytetar e madje patriotik. Por në fshat nuk ndodh kështu. Puna në bujqësi është e vetmja mundësi që ata të sigurojnë bukën e gojës. Kjo është koha kur bëhet edhe punimi i tokave dhe mbjellja e disa prej prodhimeve të stinës dhe qëndrimi në shtëpi është një luks i madh për fshatarët.
Edhe pse kishte kaluar ora 13:00, Burbuqen e gjetëm duke punuar. Ajo po bën gati tokën për mbjelljen e fasules, por kur i thua se është dhënë urdhër nga qeveria që të qëndrojnë brenda pasi është edhe mosha më e rrezikuar, ajo ka këtë shpjegim.
Disa kilometra më tutje, në një lagje të thellë të fshatit Baldushk, ndodhet familja e Genc Ahmetit, kryefamiljari i një familjeje me 6 anëtarë, që shtëpinë e tij e ka ndërtuar para shumë vitesh, kur ishte emigrant në Greqi. Ndërsa tashmë, përveç ndihmës sociale, nuk ka asnjë të ardhur tjetër.
Megjithëse me frikën se virusi mund të shkojë edhe atje, banorët e kësaj zone janë të detyruar të dalin nga shtëpitë, për të vazhduar punën në bujqësi, pasi përndryshe, do t’iu duhet të përballen me urinë.
Edhe në fshat kafenetë janë mbyllur, ndërsa në ara, mundësia e kontaktit me shume njerëz këtu është më e vogël, e për pasojë edhe rreziku i infektimit nga personat e prekur nuk është i madh. Kjo ka bërë që njerëzit të mos e njohin karantinimin si mundësi për pengimin e përhapjes së virusit.
Klan Plus