Historia e festivalit të Sanremos është padyshim shumë e gjatë, por po kaq edhe lidhja e shqiptarëve me festivalin 70-vjeçar të muzikës italiane.
Por Sanremo, i cili prej 43 vitesh mbahet në sallën gjigande të teatrit Ariston, nuk ka qenë gjithnjë organizimi i lavdishëm që njohim sot.
Në edicionin e tij të parë në vitin 1951, Sanremo nuk u morr aspak seriozisht. Kishte vetëm tre konkurrentë, ndërsa spektakli u mbajt në një sallon festash, në kazinonë e Sanremos, një qytet i vogël në bregdetin e Ligurias, në veriperëndim të Italisë.
“Nel Blu Dipinto di Blu”, e njohur gjerësisht si “Volare”, nga Domenico Modugno përkoi me bumin ekonomik të fundviteve ’50, duke u kthyer në një himn lumturie jo vetëm në Itali, por edhe në shumë skena jashtë vendit. Është një prej atyre këngëve të Sanremos, të cilat thuajse çdo shqiptar mund ta këndojë njëzëri me këngëtarin. Fitoi Sanremon dhe u rendit e treta në Festivalin Europian të këngës.
Megjithatë, ai i cili solli një frymë krejt të re në Sanremo dhe njëherësh në muzikën italiane, ishte djaloshi i ri i cili në vitin 1961, këndonte “Rock and Roll” dhe kërcente siç kërcenin të rinjtë italianë. Kënga “24 milla baci” dhe zëri lehtësisht i dallueshëm i Adriano Celentano-s, gjetën rrugën për të bërë të kërcejnë edhe të rinjtë e Shqipërisë komuniste, përmes valëve të radiove Iliria.
Në po këtë vit, një artiste e re me emrin Mina, solli një imazh jo fort popullor deri atëherë të gruas në festivalin e Sanremos. E lirshme, plot vetëbesim, Mina u bë e para grua italiane që këndoi “Rock and Roll”, në skenë.
Në fundvitet ’70, formula e festivalit ndryshoi së bashku me sallën ku mbahej, ajo u kthye në skenën më të rëndësishme të yjeve italianë të muzikës, por me një jehonë ndërkombëtare. Në vitin 1977, Sanremo u mbajt për herë të parë në teatrin Ariston.
Një vit më vonë, Sanremo dhuroi performancën e parë nga një yll ndërkombëtar, siç ishte Grace Jones. Në këtë vit debutoi e para artiste shqiptare që mundi të ngjitej në skenën me 2000 spektatorë, Anna Oxa.
Ajo u shndërrua menjëherë në një prej yjeve të Sanremos, duke u pritur gjithmonë me kureshtje në skenën e këtij festivali.
Në vitin 1989, Anna Oxa solli duetin me Fausto Leali-n: “Ti lascero”, me të cilën u shpallën dhe fitues.
Elsa Lila emocionoi thuaje 800 mijë shqiptarë në Itali, kur në vitin 2003, debutoi në festivalin Sanremo, të prezantuar nga Pippo Baudo. Kënga e saj “Valeria”, u rendit e teta në kategorinë e artistëve të rinj.
Ajo mori pjesë për herë të dytë në Sanremo pas 4 vitesh, me këngën “Il Senso della Vita”, këtë herë duke u renditur e treta.
Ndërsa mbetet festivali më i rëndësishëm italian dhe padyshim, një prej më të rëndësishmëve në nivel europian, gjatë dy dekadave të fundit, Sanremo është skena që mirëpret artistë tashmë të njohur përmes spektakleve si Amici, X Factor, The Voice of Italy, apo atyre të cilët afirmohen si artistë jashtë tij dhe në Sanremo, konkurrojnë për të afirmuar statusin prej këngëtaresh të skenave të mëdha.
I tillë ishte rasti i këngëtarit shqiptar Ermal Meta, tashmë i spikaturi kantautor i një sërë hiteve. Në vitin 2017, ai mori pjesë për herë të parë në Sanremo me “Vietato Morire”, duke u renditur i treti në finalen e madhe në teatrin Ariston.
Vetëm një vit më vonë, bashkë me Fabrizio Moron dhe me një këngë të fuqishme me mesazhin e paqes në kohë lufte e terrorizmi, Ermal Meta u bë shqiptari i dytë që fiton një çmim të parë në Sanremo. Dyshja Moro- Meta përfaqësuan Italine në Eurovision, po atë vit duke u renditur në vendin e 5-të./tvklan.al