Ylli Rakipi, drejtues i emisionit ‘Të Paekspozuarit’ në televizionin News 24, ka denoncuar në polici kërcënimet për jetën që ka marrë ditët e fundit. Vetë Rakipi i tha Televizionit Klan se mesazhin e parë të drejtpërdrejtë të kërcënimit me jetë e ka marrë para pak ditësh në postën elektronike të emisionit ‘Të Paekspozuarit’. Ai pohon se është përballur edhe me kërcënime verbale dhe se ka treguar gjithçka që di në organet kompetente.
Rakipi shton më tej se ky kërcënim i ka ardhur pikërisht pas denoncimit në emision të aferës korruptive me tenderin e lotit të parë të Unazës së Madhe.
I pari që dënoi ashpër kërcënimin me jetë të gazetarit ishte Presidenti Meta. Kreu i shtetit shprehu solidaritetin me z. Rakipi dhe të gjithë gazetarët, të cilët me guxim e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave dhe apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast
Edhe Partia Demokratike, reagoi duke thënë se kur krimi guxon të kërcënojë një njeri të medias, në kohën kur autorët e skandalit janë të gjithë të identifikuar, kjo do të thotë se krimi ndjehet më i fortë se shteti dhe se drejtësia.
Ndërsa, Autoriteti i Mediave Audiovizive, teksa dënon ashpër këtë ngjarje duke i quajtur raste të përsëritura format e të ndryshme të presionit ndaj gazetarëve në detyrë, apelon për autoritetet që menjëherë të zbardhin rrethanat dhe të venë para përgjegjësisë ligjore fajtorët e këtij akti të rëndë.
Në emisionin ‘Të Paekspozuarit’, gazetari Rakipi denoncoi sesi kompania ‘DH Albania’ fitoi me dokumente të falsifikuara tenderin prej 18 milionë Eurosh për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe.
Tv Klan