Kombëtarja shqiptare e femrave U-19 fiton, por dështon për të kaluar në raundin tjetër të kualifikueseve të Europianit të kësaj grupmoshe. Vajzat kuqezi ishin tepër cinike në stadiumin “Elbasan Arena”, duke triumfuar me rezultatin 1-0 përballë Armenisë për ta mbyllur garën në grupin B në vendin e dytë. Ekipi i teknikut Kreshnik Krepi ishte superiore përballë armeneve dhe dominoi lojën, duke krijuar raste dhe duke e spostuar lojën në pjesën më të madhe në gjysmëfushën kundërshtare. Pavarësisht superioritetit në lojë pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-0.
Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtin refren me Shqipërinë U-19 që vazhdon të ngulmojë dhe në minutën e 67-të zhbllokon rezultatin. Është Tanushi e cila ekzekutoi bukur një goditje nga këndi me portieren armene që nuk arrin të kontrollojë topin dhe e devijon në rrjetë. Përfaqësuesja kuqezi kalon në avantazh dhe goli u jep më shumë siguri vajzave shqiptare që vijojnë të kontrollojnë ndeshjen dhe shfaqen rrezikshëm para portës kundërshtare.
Sfida mbyllet me fitoren 1-0 të Shqipërisë U-19, që bëri një paraqitje të mirë në këto eliminatore duke regjistruar dy fitore dhe duke dhuruar futboll të bukur. Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Rumania mundi Letoninë me rezultatin 1-0. Rumunet renditet në vendin e parë me 9 pikë dhe kualifikohet për në fazën tjetër, ndërsa Shqipëria renditet e dytë me 6 pikë e ndjekur nga Letonia me 3 pikë dhe Armenia në vendin e fundit me 0 pikë. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi u zhvilluan në Shqipëri në stadiumet “Elbasan Arena” dhe “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.
Klan News