Komisioni i ligjeve ka filluar shqyrtimin në parim të tre projektligjeve për hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, duke konkretizuar debatin e ndezur politik të këtyre ditëve për këtë çështje.

Por dy relatorët e caktuar nga komisioni Aldo Bumçi i mazhorancës dhe Arben Isaraj i opozitës, shprehën vlerësime të ndryshme lidhur me tre draftet e depozituara dy vite më parë

Aldo Bumçi: “Po nuk u bë pastrimi i figurave të këtyre individëve, këta persona duke përdorur burime të së kaluarës do të krijonin rrejte me persona të njëjtë dhe bashkëpunëtorë të tyre duke cenuar kështu parimin bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë.”

Arben Isaraj: “Mbështetur në kushtetutë dhe bazuar në rregullore kërkoj nga të tre propozuesit heqjen e projektligjeve të paraqitura si nismë ligjvënëse. Qëllimi dhe objekti i projektligjeve të propozuara, të artikuluara shpesh dhe në foltoret politike, pra hapja dhe bërja publike e disa të dhënave të një sigurimi  të shtetit dhe përgjegjësia morale politike apo dhe personale, mund dhe duhet të arrihet vetëm nëpërmjet normave të hartuara në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë dhe parimet bazë të shtetit të së drejtës. Çdo veprim i kundërt i bën ato norma antikushtetuese.”

Nga ana tjetër Nard Ndoka duke mbrojtur draftin e demokristianëve, si variantin më të plotë për hapjen e dosjeve, tha se të dy draftet i PS dhe PD, kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe duhet të tërhiqen. Ndërkaq kryetari i komisionit të ligjeve Fatos Beja, tha se ligji të synon të miratohet, do të kufizojë angazhimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në detyrë të rëndësishme.

Fatos Beja: “Objektivi i tyre është kufizimi i vetëm me një drejtim, papajtueshmëri për të qenë në pozitat vendimmarrëse dhe drejtuese të këtij vendi. President, kryeministër, ministra, deputetët dhe persona të tjera që vijnë menjëherë pas tyre që janë funksional të lartë politik. Ky është objektivi i të tre projektligjeve.”

Propozime të ndryshme u hodhën në mbledhjen e komisionit të ligjeve lidhur me komisionin që do të merret me verifikimin e pastërtisë së figurave. Një prej këtyre propozimeve ishte ai i deputetit të republikan Arjan Madhi, sipas të cilit në komisionin e verifikimit duhet të ketë përfaqësim nga të gjitha grupet parlamentare, duke marrë si bazë ligjin e vitit 1995 dhe detyrimet që dalin nga rezoluta e këshillit të Europës./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama