Ndërkohë që kanë mbetur edhe 5 ditë kohë për kreun e shtetit që të shprehet në lidhje me ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i cili kaloi me 74 vota në parlament, shoqata “Vatra” me seli në SHBA, i është drejtuar me një letër këtij të fundit për ta dekretuar sa më parë atë.
Duke e konsideruar atë si kusht zhvillimin e një shoqërie demokratike ndarjen nga e kaluara e errët e krimeve të komunizmit, në letrën e hapur drejtuar presidentit Topi, shoqata “Vatra” shprehet se Shqipëria në këtë rrugë është e vonuar dhe nuk mund të pritet më gjatë.
Më tej në letër citohet se është e dhimbshme dhe e papranueshme sot të shohësh në nivele të larta të jetës politike dhe publike shqiptare në parlament dhe institucione shqiptare, individë që kanë lyer duart me krime politike dhe i kanë shërbyer me zell makinës kriminale të diktatorit Hoxha. Për këtë arsye vijon letra drejtuar presidentit Topi, është cinike të thuhet se ato krime duhet të arkivohen pa marrë asnjë qëndrim ndaj aktorëve të tyre dhe se është pafalshme që pas 18 vitesh pluralizëm e demokraci këta individë nuk shprehin asnjë lloj pendese publike, përkundrazi krenohen me arrogancë.
Duke i kërkuar presidentit Topi që dekretojë sa më parë ligjin për lustracionin, shoqata “Vatra” nëpërmjet kryetarit të saj Agim Karagjozi, shpreh besim të plotës në gjykim ndaj kreut të shtetit në plotësimin e kompetencave kushtetuese. Si dhe kërkon nga klasa politike, implementimin e ligjit sa më shpejt./tvklan.alGazetare: Jolldiz Mitro