Opozita ka braktisur komisionin parlamentar të ligjeve gjatë kohës që po shqyrtohej kandidatura e Neshat Fanës, e propozuar nga mazhoranca për vendin vakant në KLD. Nënkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj e konsideroi jo kushtetuese dhe në kundërshtim me rregulloren procedurën e ndjekur nga kryetarja e Kuvendit Topalli, për të shqyrtuar kandidaturën e Fanës në një kohë kur në Kuvend janë dy kandidaturat e Maksim Haxhisë dhe të Alfred Karamuçës, të propozuara prej disa muajsh që nuk janë shqyrtuar ende.
Fatmir Xhafaj: “Zoti kryetar po deklaroj, që në qoftë se vazhdohet kështu ne nuk mund të jemi dhe nuk do të jemi më pjesë as e tavolinës për reformën në drejtësi. Nuk mund të jemi pjesë e një tavoline për reformën për të shërbyer për të plotësuar interesat e ngushta të grupit tuaj politik.”
Por kryetari i komisionit të ligjeve Fatos Beja ka sqarua, se nuk ka asnjë shkelje të procedurës së ndjekur.
Fatos Beja: “Unë nuk shikoj ndonjë problem në këtë, aq më tepër një arsye për t’u tërhequr nga një reformë madhore, e cila nuk lidhet me kandidatura të veçanta, me emra të veçantë, me të cilët secilin nga ne mund të ketë relata individuale. Por lidhet me një çështje parimore që ka të bëjë me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.”
Kandidatura e Nexhat Fanës është propozuar nga mazhoranca për të zëvendësuar vendin e mbetur vakant pas mbarimit të mandatit të nënkryetarit të KLD-së Ilir Panda. Ky propozim pritet të shqyrtohet sot në seancë plenare./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama